Vazhdon beteja për anëtarin në KSHZ, opozita akuzon Xhaferin për shkelje të ligjit

admin December 19, 2023

Vazhdon beteja mes partive politike shqiptare për vendin e lirë në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi u ka dërguar pesë partive politike opozitare raportin nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, e përmes të cilit, u ka kërkuar që me shkrim të propozojnë kandidatët e tyre për anëtar në KSHZ. Kjo kërkesë u është dërguar Lëvizjes Demokratike, Lëvizjes Populli, Lëvizjes Besa, Partisë Demokratike Evropiane dhe Alternativës. Mirëpo sipas opozitës, ky njoftim është dashur t’i dërgohet vetëm Alternativës dhe Lëvizjes Besa, sepse siç thonë, vetëm këto dy parti kanë marë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Sipas asaj që kërkohej në letër, por edhe konform detyrimit që e përcakton Kodi Zgjedhor, ne e kemi njoftuar kryetarin e Kuvendit se kandidati ynë për anëtar të KSHZ-së është z.Abdush Demiri, ndërsa unë si koordinatore i’a kam nisur kryetarit të Kuvendit edhe një letër, në të cilën ia kam rikujtuar se partitë e vetme opozitare sipas definicionit të nenit 2 paragrafi 10 i Kodit Zgjedhor, janë Alternativa dhe Lëvizja Besa, si parti që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, tha Safije Sadiki Shaini – Deputete e Alternativës.

Ky veprim i Xhaferit sipas Fadil Zendelit nga Lëvizja Besa, është tentim që deri në fund, ndoshta KSHZ të ngelet vetëm me gjashtë anëtarë. Dyshon se partitë nga shumica dëshirojnë të imponohen përmes partive opozitare.

“Edhe pse ne politikanët zakonisht nuk i zbulojmë qëllimet e fundit por ai pa vetëdije ndoshta e zbulon qëllimin e vet që KSHZ të mbetet e pakompletuar, që opozita shqiptare të mos jetë e përfaqësuar në KSHZ. Por në rastin konkret në mënyrë drastike është duke e shkelur Kodin Zgjedhor. Me katër këmbë e shkelë Kodin Zgjedhor me qëllim që të krijojë huti në këtë proces, që kandidatë që janë nga shumica, tani përmes disa partive që nuk i plotësojnë kushtet, të propozohen nga ana e tyre në proces zgjedhjeve në seancë plenare”, pohoi Fadil Zendeli – Deputet i LB.

Përndryshe kandidati i Lidhjes Europiane për Ndryshim është Abdush Demiri ndërsa kandidati i Partisë Demokratike Europiane është Zulfi Adili.

“Kemi pranuar thirrjen dhe jemi përgjigjur me propozim. Kandidati ynë është Zylfi Adili”, tha Arjanit Hoxha, kryetar i PDE-së.

Lëvizja Populli nuk ka kandidat por edhe nuk do të mbështesin asnjë prej kandidatëve tjerë.


“Lëvizja Populli ka marë kërkesë për të propozuar anëtar në KSHZ, por ne nuk do të përkrahim asnjë nga kandidatët e propozuar për anëtar në KSHZ”, deklaroi Skender Rexhepi-Zejdi, kryetar LP-së.

Përndryshe në seancën e fundit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime fillimisht u refuzua kandidatura e Abdush Demirit por më pas bashkë me Demirin, kaluan të gjithë kandidatët. Hapi i radhës është që kandidatët të votohen në Kuvend në seancë plenare. Kandidati që do të ulet në vendin e lirë në KSHZ, në Kuvend duhet të sigurojë 80 vota.

Share This