Tre ministra kanë të punësuar të afërm në M-NAV
Media
January 15, 2024
Tre ministra nga qeveria aktuale kanë të afërm të punësuar në Navigacionin Maqedonas, M-NAV, transmeton “Kod” në TV Telma. Në M-NAV janë të punësuar nipi i ministrit të Bujqësisë Ljupço Nikollovski, motra e Bujar Osmanit dhe nusja e zëvendëskryeministrit Artan Grubi, si dhe të afërm të tjerë të ish-ministrave dhe deputetëve.
Osmani tha se motra e tij punon aty për 15 vjet, ndërsa Nikolovski tha se nipi i tij është staf shumë i aftë dhe profesional dhe se është shkolluar në Kinë, Japoni, ka diplomuar në Slloveni dhe se është pjesë e stafit që Maqedonia duhej të luftonte për t’i mbajtur.
Në “Kod” janë përmendur edhe gjëra të tjera, siç është fakti se kundër ndryshimit të drejtorëve të M-NAV-së ishin ministrat Osmani dhe Bekteshi të cilët i thanë Kovaçevskit se me ndryshimin e drejtorëve do të dukej si dorëzim para sindikatës së kontrollorëve dhe ai sërish u tha se është një situatë që kërkon zgjidhje të menjëhershme për shkak të trafikut ajror dhe detyrimeve ndërkombëtare të shtetit.
Kujtojmë se, Gjykata Themelore Penale e RMV-së caktoi masë paraburgimi shtëpiak për Bekim Nezirin dhe katër personat e përfshirë në rastin e sulmit në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit, SH.A ‘’M-NAV’’.
Tre inspektorë nga Inspektorati shtetëror i punës (ISHP) hynë në M-NAV dhe filluan me mbikëqyrjen inspektuese.
Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Qeveria me kërkesë të Sindikatës i shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV pritet të zyrtarizojë shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre të emërojë Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.
Share This