Shatri: Mendësia e robit

Media January 29, 2024

Shkruan Xhafer Shatri

MENDËSIA E ROBIT

Apo euforia primitive e shyptarëve

Formimi i një qeverie teknike, 100 ditëshe, në Maqedoninë e Veriut, dhe emërimi i Talat Xhaferit si kryetar i saj, i ka bërë shqiptarët kokëbosh të bien në gjendje egzaltimi epileptik. 

Kjo tregon krejt përmasat tragjikomike të një populli të vonuar, që të drejtat e ligjshme që i takojnë, kur i «fiton», zakonisht me pikatore, gëzohet si fëmija, çaraveshet dhe bie në trans (gati në tjetër hesapë)…

Më të padurueshmit në këtë hallakemë allashqiptarçe, janë ditirambet e kanalistëve për Ali Ahmetin. Nuk kursehen superlativët dhe fjalët e mëdha, prapa të cilave gjëllinë një realitet gri, taman ballkanik : bereçat versen që po na duroni, që s’po na rrehni shtagë e që po na leni me u ulë disi skaj sofrës…

(A ju kujtohet ajo mjegulla e dendur titiste që gjithandej ku kishte shqiptarë pasqyrohej në fjalët e fukarenjve trutrashë : Mirë i kemi punët, kërkush nuk të ngucë, flej dathë e pi çaj të rusit deri të çyngatesh… ?)

Harrojnë qyqet e natës se në Maqedoni 30% e popullsisë janë shqiptarë, harrojnë se jetojnë në shekullin XXI, në shekullin e internetit e të të drejtave të njeriut… Harrojnë se të drejtat nuk dhurohen por ato të takojnë, sepse njeriu lenë me to.

Kur po e shoh se si këto kashagitje hipokrite po e bëjnë Abazin, dikur aq modest, të ndihet si të ishte në qiellin e shtatë, po e pyes vetën, po edhe ju, lexues të këtyre rreshtave: si është e mundur që njeriu të tjetërsohet në këto përmasa?

Ka mëkate edhe shumë më të mëdha Abaz Aga. 

Mëkate që Kosova nuk do t’ia falë kurrë.

Në vitet e sundimit të cubave, kur ata, për të shpëtuar lëkurën e vet, nxorën në pazarin e madh territoret e Kosovës, Ali Ahmeti, alias Abazi nuk e çeli gojën asnjëherë. 

Do të mjaftonte një fjalë e tij, për t’ia hequr Kosovës nga çafa gurin e rëndë e të zi të Thaçit, të Ramës e të Vuçiqit, të Mogerinit e të Grenelit… :

« Nëse cënohet në çfarëdo forme qoftë integriteti territorial i Kosovës, Maqedoni nuk do të ketë më! 

Kjo do të mjaftonte. Dhe këtë e priste Kosova nga Ali Ahmeti.

Këtë e prisnin sidomos shokët e tij të vuajtjeve, të betejave e të përpjekjeve.

E huçi! Çele gur gojën!

 

Marrja e Zotit se si kashagisin, përjargen e çyrraven lapërdharët, sepse kur tjetërsohet idealisti, dhe sidomos kur ai kthehet në tuxhar, është Akt Zie si me u kthy Bjeshka në kënetë e Shkëmbi në lloç.

Ata që i gëzohen dhe i duartrokasin këtij tjetërsimi tragjik, realisht, nuk dijnë asgjë as për Kosovën, as për shqiptarët, e aq më pak për dhimbjet dhe plagët e tyre të panumërta që ende kullojnë gjak.

Share This