Qoku: BDI në radhët e saj ka figura që DASH i vu në Listën e zezë

Media February 07, 2024

Shkruan Bekim Qoku:

BDI, si parti e koalicionit qeveritar me orientim deklarativ pro-europian dhe pro-amerikan, në radhët e saj ka sot një numër të konsiderueshëm figurash të larta që Departamenti Amerikan i Shtetit i ka sanksionuar duke i vënë në Listën e zezë, kurse me eksponentë të tjerë relevantë kjo parti ka ose ka pasur bashkëpunim tejet të ngushtë për një kohë të gjatë.

A. Figurat nga radhët e saj që janë aktivë sot janë:

1. Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës dhe një nga funksionarët më të fuqishëm të partisë së Ali Ahmetit. Ai akuzohet për korrupsion të madh, krim të organizar dhe ndërhyrje në gjyqësor. Një gjyqësor që sot gëzon vetëm 2% besimin e qytetarëve. 

2. Xhevat Ademi, ish deputet dhe figurë kyçe në BDI;

3. Menduh Thaçi, kryetar i PDSH, po që konsiderohet pjesë organike e BDI-së.

B. Figura me të cilat BDI ka dhe ka pasur bashkëpunim tejet të ngushtë për një kohë të gjatë:

1. Nikolla Gruevski, ish kryeministër nga radhët e VMRO-DPMNE, bashkëpunëtor i ngushtë i BDI-së për 10 vjet, sa kanë bashkëqeverisur shtetin. BDI e ndihmoi atë të arratiset jashtë shtetit dhe tani kjo parti përgatit kornizën ligjore për ta amnestuar dhe për ta kthyer në MV.

2. Sasho Mijallkov, ish shefi i shërbimeve sekrete të MV, me të cilin BDI ka pasur bashkëpunim të mirë. Artan Grubi ka pasur takime të rregullta me të. U dënua me burgim të lehtë. Drejtori aktual i BDI-së i Agjencisë për konfiskim të pasurive, ndihmoi Mijallovin ta rikthejë pasurinë simbolike të konfiskuar duke ia mundësuar të birit të Mijallkovit ta blejë atë me çmim të volitshëm. BDI me gjykatësit e saj ia mbajti atij në sirtar disa lëndë, derisa të vjetërsohen dhe solli ligjin përmes ministrit të saj të drejtësisë që t'i lehtësohet sanksioni dhe dënimi.

3. Miodrag Daka Davidoviq, bashkëpunëtor i ngushtë Tetuta Arifit, ish kryetare e Komunës së Tetovës dhe figurë e lartë e BDI-së. Daka Davidoviq është biznismen kontrovers, i përzier në tregtinë me armë dhe bashkëpunëtor i kriminelit të luftës Karagjiqit.  

4. Koço Angjushev, ish zv. Kryeministër i qeverisë së Zoran Zaevit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i partnerit qeveritar të BDI-së. Kompania e tij konsiderohet ndër fajtorët kryesor për cilësinë e dobët të ndërtimit të spitaleve modulare. Spitali i Tetovës i ndërtuar nga kompania e tij u dogj dhe prej flakëve humbën jetën 14 persona. Ende sot asnjë politikan nuk është vënë para përgjegjësisë. 

Lista pritet të zgjatet.

Është absurde dhe për t'u habitur kur dëgjon se si kjo parti e proklamon veten me vlera dhe orientime pro-amerikane dhe pro-evropiane kur në gjirin e saj ajo ka dhe mbron gjithë këto antivlera.

Share This