Pishina e mbyllur në Ohër e ndan fatin e autostradës

admin December 29, 2023

Të njëjtin fat me autostradën Kërçovë-Ohër e ndan edhe pishina e mbyllur në Ohër. Ky objekt sportiv ka tetë vite që po ndërtohet ndërsa pushteti jep vetëm premtime. Nga viti i kaluar këtu nuk zhvillohet asnjë aktivitet ndërtimor. Drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Naumçe Mojsovski tani premton se pishina do të jetë gati deri në shtator të viti 2024. Premtimi i mëparshëm ishte se projekti do të përfundonte në fund të vitit të kaluar.

“Kemi pasur probleme me kontraktorin: Jo për fajin tonë, sigurisht për fajin e tij. Tashmë janë gjetur nënkontraktorë të ri, fillojnë nga data 7-10 janar. Kemi nënshkruar kontratë dhe premtojnë se do të përfundojë deri në shtator. Shefi i firmës që e ka fituar tenderin e vitit 2015 ka qenë në paraburgim, i kanë përfunduar llogaritë dhe nuk ka mundur të realizojë punime, prandaj kemi gjetur nënkontraktor”, tha Naumçe Mojsoski – drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport.

Deri më tani për pishinën janë paguar 4,8 milionë euro dhe janë kryer rreth 70 për qind e punimeve. Nuk dihet se sa zgjatja e afatit do ta rëndojë më tej buxhetin.

“Komuna e Ohrit ka kapacitet për ta menaxhuar objektin, por pas tri shtyrjeve të afateve të ndërtimit, pishina do të përjetojë të njëjtin fat si autostrada Kërçovë-Ohër”, deklaroi Kiril Pecakov-kryetar i Ohrit.

“Jo vetëm për ne klubet sportive dhe sportistët, por edhe në përgjithësi për qytetarët e Strugës dhe të Ohrit si qytete mbi ujë, kjo ka rëndësi të madhe për zhvillimin e sportit, notit, triatlonit, vaterpolos dhe për zhvillimin e të rinjve që të mos shkojnë rrugëve të këqija, të bëjnë jetë të shëndetshme, sport dhe rekreacion”, u shpreh Nikola Kutanoski-trajner noti.

Pishina e Ohrit filloi të ndërtohet në vitin 2015 në kohën e Nikolla Gruevskit ndërsa fillimisht ishte paraparë të ishte gati për 30 muaj.

Share This