Gjysma e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut me dokumente të vjetra
admin
December 26, 2023
Në Maqedoninë e Veriut vetëm gjysma e qytetarëve kanë arritur të pajisen me dokumentet e reja personale, në të cilat figuron emri i ri i shtetit. Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se deri më 25 dhjetor të këtij viti ka dorëzuar 1 milion e 151 mijë e 628 pasaporta të reja, 993 mijë e 966 letërnjoftime dhe 525 mijë e 225 patentë shoferi kundrejt 1 milion e 836 mijë qytetarëve shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe, të gjithë shtetasit maqedonas duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Pas kësaj date, dokumentet aktuale – pra ato me emërtimin Republika e Maqedonisë – nuk do të jenë të vlefshme, pavarësisht nëse ende kanë afat.
Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar më 17 korrik 2018 ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.
Share This