A po fuqizohet më shumë kampi opozitar shqiptarë?
admin
December 26, 2023
Dita e diel nuk ishte ditë pushimi për të gjithë, pasi për krerët e partive opozitare shqiptare ishte ditë angazhimi për të kremtuar bashkërisht hapjen e zyrave të reja në zemër të Çarshisë së Shkupit, në sheshin Skënderbeu. Por, nga pamjet dhe festa e organizuar nuk ishte hapje e zakonshme e zyrave aty u dha lajmi i parë publikisht dhe zyrtarisht se koalicioni opozitar shqiptarë do të ketë përkrahje të drejtpërdrejt nga VV-ja e Albin Kurtit. Prezenca e këshilltarit të Kurtit, Bekim Qoku, në ditën e hapjes së zyrave të LEN-it ishte korurzimi i asaj që është diskutuar me muaj të tërë për një bashkëpunim të kësaj natyre, për ta sjellë ndryshimin e duhur. Kështu që, nga e diela opozita shqiptare e bashkuar në Lëvizjen Evropiane për Ndryshim ka edhe një shtyllë të fuqishme atë të VV-së, përmes Qokut.
A po shkon drejt fuqizimit LEN?
E filluan këtë bashkëpunim në emër të ndryshimit, gjatë rrugëtimit u kuptua që sinqerisht kanë qëllim ndryshimin sepse u bashkuan dy ish miq të ndarë e të përçarë Kasami dhe Gashi. Iniciatori i këtij ndryshimi ishte Izet Mexhiti me lëvizjen e re, por i paraprinte edhe Kasami i cili tashmë kishte korrur sukses të jashtëzakonshëm në Komunën e Tetovës. U bashkuan tre parti për të formuar një koalicion të cilin e emëruan si Lidhja Evropiane për Ndryshim.
Këshilltari i vetëm i Albin Kurtit për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, në ditën e hapjes së zyrave të LEN tha se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë shtylla e katërt e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai mes tjerash tha se do të kontribuojnë për ndryshim politik në Maqedoninë e Veriut, bashkë me Lëvizjes Demokratike, Alternativën dhe Lëvizjen Besa.
“Unë sot jam këtu për të iniciuar bashkëpunimin tonë si Lëvizja Vetëvendosje, një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni tashmë të etabluar këtu, për të sjellë ndryshimin e munguar tash e 20 vjet që realizohet përmes të këtij regjimi që është në RMV. Vetëvendosja natyrisht që nuk mund të rrijë duarkryq”, deklaroi Qoku.
Nga ana tjetër, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se Lidhja Evropiane për Ndryshim në Qeveri nuk do të luftojë për pozita simbolike dhe për pozicione. Kasami siguron që LEN-i do të punojë që shqiptarët dhe maqedonasit të trajtohen në mënyrë të barabartë nga shteti.
“Ne nuk do të jemi në një qeveri ku për simbolik do të luftojmë për pozicione por do të jemi në një qeveri e cila do të iu shërbejë qytetarëve. Ne nuk do të luftojmë për pushtet, por do të luftojmë që shteti i Maqedonisë së Veriut t’iu shërbejë shqiptarëve, po aq sa maqedonasve “për hajër na qoftë” kjo zyra dhe urime të gjithëve festat e fundvitit”, tha Kasami.
Si u komentua aktivizimi i VV-së në RMV nga politikanët maqedonas?
Partitë simotra nga vendet e tjera mund të mbështesin një parti në një vend tjetër, por nuk kam parë parti simotra nga një vend tjetër të marrin pjesë në zgjedhje në një vend tjetër, kështu deklaroi kryeministri Dimitar Kovacevski i pyetur për një koment pas akuzave se partia Vetëvendosje e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mund të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme në vend, së bashku me bllokun opozitar shqiptar.
“Nuk është e panjohur që partitë simotra të marrin pjesë në mbështetje politike të partive në shtetet tjera. Megjithatë, deri më tani nuk kam parë parti nga vende të tjera të marrin pjesë në një proces zgjedhor në një vend tjetër. Duhet të shihet se çfarë saktësisht nënkuptohet, sepse nëse partitë politike nga fqinjësia fillojnë të marrin pjesë në zgjedhjet në vendin tonë, mund të ndodhë që të dëshirojnë të marrin pjesë edhe nga vende të tjera, të cilat mendoj se do të paraqisnin një lloj dinamike të padëshirueshme”, tha Kovaçevski.
Nga ana tjetër, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski thotë se për qëllimet e opozitës shqiptare gjatë përfshirjes së njerëzve që i takojnë subjekteve të tjera politike, duhet të pyeten liderët e opozitës.
“Ky është vendim i atyre që i kanë zgjedhur ata persona. Mendoj që dihet fakti që për të qenë pjesë e listës duhet të jeni shtetas i Maqedonisë, t’i plotësoni kushtet kushtetuese dhe ligjore. Ata që i fusin këta persona në rrethin e tyre duhet t’i pyesni se cili është qëllimi i tyre”, tha Hristijan Mickovski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Për partitë shqiptare opozitare kjo është ndihmë e jashtëzakonshme që u vjen pikërisht në momentin që ata kanë nevojë më së shumti. Ndërkaq, për partinë në pushtet BDI ka qenë çdoherë therrë në sy, madje kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, deklaron se nuk ka nevojë më shumë se dy parti kampi politik shqiptarë. Prandaj, edhe e sheh si tepricë aktivizimin e VV-së, pa çka se numri i partive politike shqiptare në RMV ka shkuar në dhjetë.
Demokratike është që opozita shqiptare po merr formë dhe kuptim –
Populli shqiptarë gjithmonë kanë qenë ithtarë të bashkimit, madje para disa viteve si pasojë e mos bashkimit të opozitës së atëhershme votuesi shqiptarë këtë revoltë e shprehi duke votuar parti maqedonase, dhe një numër i madh votash iku nga kampi shqiptarë drejtë atij maqedonas. Ky bashkim i opozitës shqiptare në emërimin e përbashkët Lidhja Evropiane për Ndryshim do të ndikojë që gjitha votat do të kthehen në vendin e tyre në kampin shqiptarë. Dhe, kjo duhet të ndodhë sepse ishte i pakuptimtë garimi i partive maqedonase në terrenin shqiptarë.
Lëvizja Besa si parti opozitare është fuqizuar jashtë mase, kreu i kësaj partie për herë të parë arriti ta fitojë BDI-në dhe ta “dëbojë” nga selia e partisë. Tetovën e fitoi Bilall Kasami në garë me pushtetin në krye me Teuta Arifin. Por, Besa siduket ka rikthyer shpresën te qytetarët përgjatë kësaj periudhe të qeverisjes kjo parti është fuqizuar edhe më shumë dhe siduket qëndron fuqishëm në rajonin e Pollogut, zona prej ku del edhe numri më i madh i deputetëve shqiptarë.
Nga ana tjetër Alternativa dhe Lëvizja Demokratike së bashku qëndrojnë fuqishëm në zonën 1 dhe 2, zona që poashtu nxjerrin numër të konsiderueshëm të deputetëve shqiptarë, kjo nënkupton që konsolidimi i opozitës shqiptare ndikon në një shtrirje ideale në zonat posaçërisht të populluara me shqiptarë.
Prandaj, bashkimi opozitarë është një strehë e qytetarëve të dëshpëruar nga pushteti si dhe do të ndikojë në rikthimin e votës shqiptare që kishte ikur në kampin maqedonas. Shqiptarët e duan bashkimin prandaj edhe do të jenë pro secilit bashkim. Dhe, një koalicion i tillë do të ndikojë qartazi në fitimin e një numri të madh të deputetëve, nuk përjashtohet mundësia që mund të kenë edhe mbi 10 deputetë në legjislaturën e ardhshme.
Share This